Rreth 73 për qind e të papunëve në Shqipëri kërkojnë punë prej më shumë se një viti
Papunësia zyrtare në Shqipëri shënoi një ulje të lehtë gjatë vitit 2025, por të dhënat tregojnë se rikthimi në tregun e punës mbetet i vështirë për pjesën dërrmuese të personave pa punë.
Rreth 72,7% e të papunëve kishin të paktën një vit që kërkonin punë, ndërsa në disa qarqe norma e përgjithshme e papunësisë rezulton dyfish më e lartë se mesatarja kombëtare.
Të dhënat e INSTAT në “Tregu i Punës 2025” tregojnë se në vend u vlerësuan 107.548 persona të papunë, nga 109.854 një vit më parë. Shkalla zyrtare e papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart zbriti nga 8,5% në 2024, në 8,4% në 2025.
Megjithatë, përtej këtij përmirësimi të vogël, 78.216 persona rezultojnë të papunë prej një viti ose më shumë. Ata përbëjnë 72,7% të numrit të përgjithshëm të të papunëve, çka do të thotë se gati tre në çdo katër persona pa punë janë të papunë afatgjatë. Në vitin 2024, kjo kategori përfshinte 83.320 persona dhe përbënte 75,8% të papunësisë së përgjithshme.
Megjithëse numri i të papunëve afatgjatë është ulur me 5.104 persona, ose rreth 6,1%, pesha e tyre në papunësinë totale mbetet shumë e lartë. Shifrat tregojnë se problemi nuk kufizohet te gjetja e një vendi të ri pune, por lidhet edhe me zgjatjen e periudhës së papunësisë dhe vështirësinë e riintegrimit në treg.
Gratë më të prekura nga papunësia afatgjatë
Papunësia afatgjatë prek më shumë gratë. Në vitin 2025, rreth 42.675 gra kishin të paktën një vit pa punë, kundrejt 35.541 burrave. Gratë përbënin rreth 54,6% të të gjithë të papunëve afatgjatë.
Rreth 75,3% e grave të papuna ishin pa punë prej një viti ose më shumë. Te burrat, kjo përqindje ishte 69,9%. Në të njëjtën kohë, shkalla e papunësisë afatgjatë ishte 7,3% për gratë, kundrejt 5,1% për burrat.
Hendeku gjinor shihet edhe në papunësinë e përgjithshme. Në vitin 2025, shkalla zyrtare e papunësisë ishte 9,7% për gratë dhe 7,3% për burrat.
Moshat 55-64 vjeç po qëndrojnë më gjatë pa punë
Ndërsa papunësia afatgjatë ra në shumicën e grupmoshave, situata u përkeqësua për personat pranë moshës së pensionit.
Numri i të papunëve afatgjatë të moshës 55-64 vjeç u rrit nga 12.540 në 2024, në 14.936 në 2025, ose me rreth 19%. Në këtë grupmoshë, 78,5% e të papunëve kishin një vit ose më shumë që kërkonin punë.
Shkalla e papunësisë afatgjatë për moshën 55-64 vjeç u rrit nga 4,5% në 5,2%. Te gratë e kësaj grupmoshe arriti në 5,7%, ndërsa te burrat në 4,9%.
Në grupmoshën 25-54 vjeç, e cila përbën pjesën kryesore të forcës së punës, numëroheshin 50.366 të papunë afatgjatë. Rreth 76,6% e të papunëve të kësaj moshe kishin të paktën një vit pa punë.
Për të rinjtë 15-24 vjeç, numri i të papunëve afatgjatë ra nga 15.643 në 12.260 persona, ndërsa pesha e tyre në papunësinë e kësaj grupmoshe u ul nga 62,1% në 56,2%. Megjithatë, më shumë se gjysma e të rinjve të papunë vijojnë të kërkojnë punë prej të paktën një viti.
Arsimi bazë nuk garanton rikthim të shpejtë në punë
Papunësia afatgjatë prek më shumë personat me arsim 8/9-vjeçar dhe të mesëm. Në vitin 2025, 76,6% e të papunëve me arsim bazë kishin të paktën një vit pa punë, ndërsa te gratë kjo normë arrinte në 79,7%. Te personat me arsim të mesëm, treguesi ishte 76,2%, përkatësisht 80,1% te gratë dhe 73,2% te burrat. Në total, rreth 33.688 persona me arsim 8/9-vjeçar dhe 34.874 me arsim të mesëm ishin të papunë afatgjatë.
Në nivel qarku, Lezha kishte papunësinë më të lartë, me 17,8%, mbi dyfishin e mesatares kombëtare prej 8,4%. Elbasani u rendit i dyti, me rritje nga 13,6% në 16,2%. Papunësia e grave në Elbasan arriti në 25%, nga 18,5% një vit më parë, ndërsa te burrat ishte 8,3%.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)